‘Buxheti i shtetit po ndahet më shumë për komunat e VV-së’ – Murati: Është shpërndarë barabartë - NACIONALE

‘Buxheti i shtetit po ndahet më shumë për komunat e VV-së’ – Murati: Është shpërndarë barabartë

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Ministri i Financave, Hekuran Murati ka reaguar pas raportit të Institutit GAP, se buxheti i Kosovës po ndahet më shumë për komunat ku qeverisë Lëvizja Vetëvendosje.

Përmes një postimi në Facebook, Murati ka thënë se shumica e buxhetit për projektet e reja kapitale, është shpërndarë proporcionalisht dhe barabartë nëpër të gjitha komunat.

“Ngarendja pas titujve senzacionalë, mund të rezultojë edhe me këso konstatime që fare nuk përkojnë me realitetin, por që shumë lehtë dezinformojnë qytetarët duke krijuar përshtypje për ndarje të padrejtë të buxhetit për investime kapitale, që për vitin e ardhshëm do të jetë 811 milionë euro. Konstatimi në titull u referohet projekteve që në total bëjnë 12 milionë euro, e që nga 811 milionë euro sa është buxheti total për investime kapitale i bie më pak se 1.5%. Larg me 52%-shin bombastik e dezinformues në titull. Shumica e buxhetit për projektet e reja kapitale, është shpërndarë proporcionalisht dhe barabartë nëpër të gjitha komunat, përmes grantit qeveritar”, ka shkruar ai.

Tutje ministri Murati, ka thënë se pjesa tjetër e buxhetit është alokim shtesë nëpër projekte ekzistuese që janë zvarritur me vite të tëra e nuk janë përfunduar kurrë.

“Pjesa tjetër e buxhetit është alokim shtesë nëpër projekte ekzistuese që janë zvarritur me vite të tëra e nuk janë përfunduar kurrë, sepse qeveritë e kaluara i kishin nisur pa buxhetin e mjaftueshëm. As kjo nuk është reflektuar në këtë analizë. Kushdo që është i interesuar të dijë më shumë për buxhetin, mund të na bashkohet në takimet që po mbajmë me qytetarë nëpër komuna, ku shpalosim shumë detaje e plane për vitin 2023”, ka përfunduar Murati.

Lajme të ngjashme