Burri që i shpëtoi për pak zjarrit në Spanjë, në gjendje serioze në spital
Një burrë spanjoll, që shpëtoi për pak nga një zjarr masiv përderisa po përpiqej që të hapte një hendek për ta mbrojtur vendbanimin e vet nga flakët, ndodhet në gjendje serioze në spital, por ka arritur të komunikojë me bashkëshorten e tij, tha një mik i familjes.
Angel Martin Arjona iku disi nga flaka e madhe, pasi era e ndryshoi drejtimin dhe zjarri e rrethoi ekskavatorin me të cilin po punonte në qytezën Tabara të provincës Zamora. Ngjarja u kap nga kamerat e agjencisë “Reuters”.
Burri 50-vjeçar pësoi djegie të rënda dhe iu dha ndihma urgjente në vendin e ngjarjes para se të dërgohej me helikopter në qytetin Valladolid, thanë shërbimet emergjente lokale.
Miku i familjes, Jose Manuel Taba, tha se personi që u shpëtoi flakëve është në gjendje serioze, por ka komunikuar me bashkëshorten në orët e hershme të së martës.
“Ai është në gjendje shumë serioze, por me vetëdije. Ka folur me gruan e tij dhe i ka dhënë shenja me gjeste. Duhet t’i marrim gjërat hap pas hapi, është një situatë shumë e ndërlikuar”, tha Taba.