Burimet thonë se Ukraina ka bërë ndryshime domethënëse në planin e paqes të ShBA-së
Ukraina e ka amendamentuar në masë domethënëse “planin e paqes” të Shteteve të Bashkuara për t’i dhënë fund luftës, duke i hequr kërkesat maksimaliste të Rusisë, thanë disa persona të afërt me bisedimet, përderisa udhëheqësit evropianë paralajmëruan të hënën se nuk mund të arrihet ndonjë marrëveshje shpejt.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, mund të takohet më vonë këtë javë në Shtëpinë e Bardhë me homologun amerikan, Donald Trump, sipas burimeve. Ukraina po kërkon që Evropa të përfshihet në bisedime, raporton gazeta “The Guardian”.
Gjatë bisedimeve të zhvilluara të dielën në Zvicër – të udhëhequra nga sekretari i Shtetit i ShBA-së, Marco Rubio, dhe shefi i stafit të Zelenskyt, Andriy Yermak – plani u rishikua në mënyrë substanciale. Ai tani përfshin vetëm 19 pika, e jo 28 si në fillim. Kievi dhe partnerët evropianë thonë se vija ekzistuese e frontit duhet të jetë pikënisje për diskutimet territoriale.
Ata thonë se nuk mund të ketë njohje të territoreve të kapura nga Rusia ushtarakisht dhe se Kievi duhet t’i marrë vetë vendimet nëse dëshiron të anëtarësohet në BE dhe NATO – diçka për të cilën Kremlini dëshiron të ketë veto ose të vendosë kushte.
Rubio tha se bisedimet e së dielës ishin “shumë, shumë pozitive”.