Bulliqi shpreh ngushëllime pas aksidentit të tmerrshëm në Podujevë
Kreu i komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi ka shprehur ngushëllime pas aksidentit tragjik që ndodhi mbrëmë në magjistralen Prishtinë-Podujevë ku të vdekur mbetën dy persona e u lënduan dy fëmijë.
“Të tronditur morëm lajmin për aksidentin tragjik në orët e hershme të mëngjesit ku humbën jetën dy persona. Në këto momente të dhimbjes dhe pikëllimit, shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjet, miqtë dhe të afërmit e viktimave, ndërsa të lënduarëve iu uroj shërim të shpejtë”, ka shkruar Bulliqi.
Dy persona kanë mbetur të vdekur, e dy fëmijë janë lënduar si pasojë e një aksidenti që ka ndodhur në rrugën Prishtinë-Podujevë. Më saktësisht në fshatin Sibovc.
Lajmin për mediat e ka konfirmuar edhe zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.
Ajo ka bërë të ditur se aksidenti ka ndodhur mes një autobusi dhe një veture, e cila ka qenë me targa të huaja.
“Rreth orës 04:40 kemi pranuar informatën se në rrugën Prishtinë – Podujevë, ka ndodhur një aksident trafiku me pasoja fatale. Në këtë aksident kanë qenë të përfshira, një veturë (me targa të huaja) e cila ka qenë në lëvizje dhe një autobus. Si pasojë e aksidentit lëndime të rënda trupore kanë pësuar katër persona, dy prej tyre nuk kanë arritë të përballojnë plagët dhe të njëjtit kanë ndërruar jetë”, ka thënë Ahmeti.
Gjendja e dy fëmijëve të lënduar në aksidentin që ndodhi në rrugën Prishtinë – Podujevë, është jashtë rrezikut për jetë.
Lajmin e ka konfirmuar për gazetën Nacionale, doktori kujdestar Ejup Govori.
Ai ka thënë se njëri fëmijë është 5 e tjetri 3 vjeçar.
“Kanë pasur frakturë në ekstremitetin e poshtëm. Të gjitha kontrollet e nevojshme ua kemi bërë. Janë jashtë rrezikut për jetën”, ka thënë Govori për Nacionalen.