Bugaqku: Nxitimi për miratimin e projektligjit për Byronë po bëhet që të përdoret në fushatë
Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka kritikuar mungesën e transparencës në hartimin dhe miratimin e Projektligjit për Byronë e Konfiskimit të Pasurisë.
E sipas Vullnet Bugaqkut, hulumtues në KDI, ky nxitim për miratimin e projektligjit po vjen për shkak të mundësisë së shpërndarjes së Kuvendit dhe shfrytëzimit të miratimit të tij për fushatën zgjedhore.
Ai ka theksuar se nuk është dashur të anashkalohet assesi faza e dëgjimit publik për projektligjin, derisa thirrjen për dëgjim publik të tij e ka quajtur “formalitet”.
“Kjo është arsyeja kryesore pse po ndodhë një nguti dhe nxitim kaq i madh i diskutimit të këtij projektligji dhe projektligje të tjera që Kuvendi po i trajton. Kur e dimë se afati për presidentin është 28 dhe jemi pak ditë nga përfundimi, duket që ka nguti që para se të shpërndahet Kuvendi të bëhet ky projektligj dhe të hyjmë në fushatë zgjedhore dhe ta përdorin elektoralisht miratimin e këtij projektligji”, u shpreh ai në Interaktiv.