Bugaqku: Kushtetuesja ndaloi tiraninë e shumicës me rrëzimin e votimit të fshehtë në Kuvend
Vullnet Bugaqku nga Instituti Demokratik i Kosovës ka vlerësuar se vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës për të rrëzuar procedurën e votimit të fshehtë në Kuvend është një ilustrim i qartë i rolit të kësaj gjykate në mbrojtje të rendit kushtetues dhe të të drejtave themelore.
Bugaqku shkroi se koncepti i “tiranisë së shumicës” shfaqet kur shumica parlamentare apo elektorale, duke u mbështetur në legjitimitetin numerik, tenton të tejkalojë kufijtë kushtetues dhe të ushtrojë pushtet në kurriz të lirive dhe parimeve bazë të shtetit.
“Koncepti i tiranisë së shumicës njihet si një dukuri që shfaqet kur shumica parlamentare apo elektorale, në emër të legjitimitetit politik, synon të tejkalojë kufijtë kushtetues dhe të ushtrojë pushtet në dëm të të drejtave themelore dhe rendit kushtetues.
Në këtë kontekst, Gjykatat Kushtetuese janë mekanizmi kryesor i mbrojtjes institucionale, duke garantuar që vullneti politik i shumicës të harmonizohet me vlerat dhe normat themelore të shtetit.
Prandaj, vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës për të rrëzuar procedurën e votimit të fshehtë në Kuvend përbën ilustrim të qartë të këtij roli, pasi tregon se legjitimiteti demokratik nuk qëndron vetëm te numrat parlamentarë, por mbi të gjitha te respektimi i parimeve themelore që e mbajnë sistemin politik brenda kornizës kushtetuese.” – shkroi ai ne Facebook.