BSPK kërkon masa urgjente për mbrojtjen e punëtorëve gjatë valës së të nxehtit
Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) ka kërkuar nga institucionet përgjegjëse ndërmarrjen e masave urgjente për mbrojtjen e punëtorëve gjatë temperaturave të larta, duke paralajmëruar për rritje të rrezikut të aksidenteve në vendet e punës.
Sipas BSPK-së, sektori i ndërtimtarisë vazhdon të mbetet më i prekuri nga aksidentet fatale. “Gjatë vitit 2025 janë identifikuar 602 raste lëndimesh në vendin e punës, ndërsa 33 për qind e tyre kanë ndodhur në sektorin e ndërtimtarisë”, thuhet në reagim.
Sindikalistët kërkojnë ndërprerjen e punës gjatë orëve më të nxehta të ditës, furnizim me ujë të pijshëm dhe kushte më të mira pune.
“Siguria dhe shëndeti në punë nuk duhet të bëhen temë vetëm pasi të ndodhë tragjedia”, thekson BSPK, duke u bërë thirrje institucioneve të intensifikojnë kontrollet dhe mbikëqyrjen në terren.