Brukseli fton në takim Kurtin e Vuçiqin
Brukseli ka ftuar për një takim të nivelit të lartë, Kryeministrin Kurti, dhe Presidentin serb Aleksandër Vuçiq.
Zëdhënësi i Bashkimit Europian, Peter Stano, e ka konfirmuar sot gjatë një konference, se ftesat i kanë shkuar Kurtit e Vuçiqit, e thotë se shpreson që ky takim të ndodhë shumë shpejt.
“Ne kemi ftuar z.Kurti dhe z.Vuçiq për një takim të nivelit të lartë dhe shpresojmë që ky takim të ndodh shumë shpejt”, ka deklaruar Stano në konferencën e mesditës të mbajtur sot.
Kujtojmë se nga data 21 nëntor, vendimi i Qeverisë për targat ilegale, futet në fazën e dytë, që është ajo e gjobitjes.
E kjo është parë me shqetësim nga faktorët ndërkombëtarë, sepse mund të jetë një moment kur situata në veri mund të eskalojë.
Kurti, para pak orësh ka thënë se negociatat për targat, janë duke u zhvilluar, teksa zëvendës kryeministri Besnik Bislimi, deri tash nuk ka njoftuar për ndonjë marrëveshje.
Nuk dihet nëse Kurti e Vuçiq, është planifikuar të takohen para datës 21, apo pas kësaj date.