Britania e Norvegjia formojnë aleancë detare për t’iu vënë pas nëndetëseve ruse - NACIONALE

Britania e Norvegjia formojnë aleancë detare për t’iu vënë pas nëndetëseve ruse

9 muaj më parë

nga NACIONALE

Mbretëria e Bashkuar dhe Norvegjia kanë nënshkruar një pakt të mbrojtjes me të cilin parashihet operimi i një flote të kombinuar për t’iu vënë pas nëndetëseve ruse në pjesën veriore të Oqeanit Atlantik.

Me këtë marrëveshje synohet mbrojtja e kabllove nën det, për të cilat zyrtarët britanikë thonë se janë nën rrezik në rritje nga Moska, raporton televizioni BBC.

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes të Britanisë së Madhe, në dy vitet e fundit është shënuar një rritje prej 30 për qind në numrin e rasteve kur janë vërejtur anije ruse në ujërat britanike.

Kryeministri britanik, Keir Starmer, marrëveshjen e re e quajti “historike”, duke thënë se ajo e forcon aftësinë e Britanisë për ta mbrojtur infrastrukturën kritike.

Marrëveshja u njoftua kur britaniku e priti të enjten në pjesën veriore të Skocisë homologun norvegjez, Jonas Støre.

Starmer tha para gazetarëve gjatë qëndrimit në Skoci se Britania duhet “të mbetet vigjilente ndaj kërcënimit gjithnjë të pranishëm” që e paraqet Rusia, duke iu referuar vdekjes së zonjës Dawn Sturgess.

Nëna e tre fëmijëve vdiq pasi i ishte shpërfaqur agjentit të njëjtë nervor rus, noviçok, i cili ishte përdorur në vrasjen në tentativë ndaj agjentit të dyfishtë rus, Sergei Skripal, në vitin 2018. Sipas hetimit, presidenti rus, Vladimir Putin, ishte “moralisht përgjegjës” për vdekjen e saj.

Dy kryeministrat pritet të njoftohen me zhvillimet nga ekipet e patrullave detare, të cilat kanë qenë duke i përcjellë anijet ruse, përfshirë anijen spiune “Yantar”, e cila rishtazi është akuzuar se ua ka drejtuar laserët pilotëve të Forcës Ajrore Mbretërore të Britanisë për t’i penguar.

Lajme të ngjashme