Britania e Madhe e prerë, Serbisë: Dorëzojeni Radojiçiqin, Kosovës: Mos e sulmoni Gjykatën Kushtetuese
Britania e Madhe u ka bërë thirrje shteteve anëtare të Kombeve të Bashkuara që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, që ta bëjnë këtë sa më parë, duke theksuar se njohja është thelbësore për stabilitetin afatgjatë në rajon dhe për zhvillimin e plotë të vendit.
Gjatë seancës së Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ku u diskutua raporti i Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, për Kosovën, përfaqësuesja e Britanisë theksoi mbështetjen e vazhdueshme të vendit të saj për Kosovën.
“Britania mbetet përkrahëse e palëkundur e zhvillimit demokratik të Kosovës dhe shtegut të saj euroatlantik. Si ndër vendet e para që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, u bëjmë thirrje shteteve anëtare që ende nuk e kanë bërë këtë, t’i bashkohen shumicës. Njohja është esenciale për stabilitet afatgjatë dhe për zhbllokimin e potencialit të plotë të Kosovës”, deklaroi ajo.
Përfaqësuesja britanike inkurajoi formimin e shpejtë të qeverisë së re dhe përgëzoi “mbajtjen e qetë dhe demokratike” të zgjedhjeve lokale. Ajo shprehu gjithashtu shqetësim për disa deklarata të fundit që, sipas saj, “rrezikojnë të rrënojnë institucionet shtetërore, përfshirë Gjykatën Kushtetuese”. Kryeministri në detyrë Albin Kurti kishte shprehur më herët kritika ndaj Kushtetueses.
“Institucionet e forta dhe gjithëpërfshirëse janë jetike për të avancuar integrimin ndërkombëtar të Kosovës dhe për të ofruar progres për qytetarët e saj”, theksoi ajo, duke e cilësuar kthimin e kryetarëve serbë në komunat me shumicë serbe si “një hap pozitiv drejt një pushteti lokal përfaqësues”.
Ajo kërkoi nga të gjitha palët që tranzicioni institucional në komunat ku kanë fituar kandidatët e Listës Serbe të zhvillohet me “respektim të plotë të sundimit të ligjit dhe me mundësi reale për riintegrimin e komunitetit serb”.
Dy vjet pas sulmit në Banjskë, Britania e Madhe ritheksoi thirrjen ndaj Serbisë që të bashkëpunojë për “tkurrjen e tensioneve” dhe të sigurojë “përgjegjësinë penale të autorëve të sulmit”, përfshirë dorëzimin e Milan Radoiçiqit.
“Llogaridhënia për sulmin në Banjskë dhe për sulmet ndaj KFOR-it është pritur shumë gjatë”, theksoi ajo, duke shtuar se çështjet e pazgjidhura duhet të adresohen përmes dialogut.
Në deklaratë u nënvizua edhe rëndësia e zbatimit të marrëveshjeve ekzistuese, përfshirë formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, që u cilësua si “element thelbësor për ndërtimin e besimit dhe sigurimin e stabilitetit afatgjatë”.