Britania e Australia paralajmërojnë për pasoja potencialisht shkatërruese të operacionit izraelit në Rafah
Australia dhe Britania thanë në një deklaratë të përbashkët të premten se mund të ketë pasoja potencialisht shkatërruese nga një pushtim tokësor izraelit në qytetin Rafah të Gazës.
“Duke i marrë parasysh numrin e madh të personave të zhvendosur në zonë dhe mungesën e vendeve të sigurta në Gaza, ministrat e ndanë shqetësimin e thellë për pasojat potencialisht shkatërruese për popullsinë civile të një operacioni të zgjeruar ushtarak izraelit në Rafah” – thuhet në deklaratën e këtyre dy shteteve.
Deklarata u lëshua pas takimit të sekretarëve të jashtëm të Britanisë dhe Australisë në Adelaide, raporton agjencia “Reuters”.
Izraeli thotë se një pushtim tokësor i qytetit Rafah është i nevojshëm për ta eliminuar Hamasin, pavarësisht paralajmërimeve të disa shteteve, përfshirë ShBA-në, për pasoja të llahtarshme për më shumë se një milion palestinezë që janë strehuar atje, pasi ishin zhvendosur nga pjesë të tjera të enklavës gjatë luftës 5-mujore.
Britania dhe Australia e kritikuan fuqishëm edhe pushtimin rus të Ukrainës dhe paralajmëruan kundër aktivitetve ushtarake destabilizuese në Detin e Kinës Jugore, ku Kina ka qenë duke ndërtuar prani gjithnjë më shumë.