Bislimi takon Abott-in, i flet për “njohje reciproke” Kosovë-Serbi që s’është në marrëveshje - NACIONALE

Bislimi takon Abott-in, i flet për “njohje reciproke” Kosovë-Serbi që s’është në marrëveshje

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Zëvendës Kryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka katuar ambasadorin britanik në Prishtinë, Nicholas Abott me të cilën kanë biseduar për çështje të sigurisë në veri, kontigjentin e ri britanik në kuadër të KFOR-it si dhe çështje të dialogut Kosovë-Serbi për normalizim të marrëdhënieve.

Mes tjerash, Bislimi, siç njofton Zyra e Kryeministrit të Kosovës, i ka thënë diplomatit britanik se Kosova “mbetet konstruktive e aktive në proces, e përkushtuar për normalizimin e plotë të marrëdhënieve dhe për njohje reciproke”.

Kujtojmë se në Marrëveshjen Bazë nuk ka njohje të ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë, përkundrazi ka pranim të mosnjohjesa së ndërsjellë ku “palët nuk paragjykojnë çështjen e Statusit”; e për më tepër, vetë Bislimi e ka thënë një numër herësh që “Kosova ka bërë kompromis të madh” në atë që ka pranuar që të heqen dorë nga kërkesa për njohjen dyshtetërore të ndërsjellë.

Njoftimi i plotë:

Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, priti në takim ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Nicholas Abbott.

Në takim u bisedua mbi situatën e sigurisë në vend, e ku u theksua dhe kontributi i kontingjentit britanik brenda KFOR-it. Zëvendëskryeministri Bislimi e informoi ambasadorin Abbott dhe mbi takimin e fundit të mbajtur në Bruksel në nivel të kryenegociatorëve dhe procesin e dialogut.

Ai theksoi se Republika e Kosovës vazhdon të mbetet konstruktive e aktive në proces, e përkushtuar për normalizimin e plotë të marrëdhënieve dhe për njohje reciproke.

Republika e Kosovës dhe Mbretëria e Bashkuar ndajnë një miqësi e partneritet të fuqishëm. Zëvendëskryeministri Bislimi e falënderoi ambasadorin Abbott për takimin e frytshëm, si dhe shprehu mirënjohjen për bashkëpunimin e mbështetjen e vazhdueshme të Mbretërisë së Bashkuar ndaj Kosovës.

Lajme të ngjashme