Bislimi, pa mandat, lëvdon qasjen e pasuesit të Lajçakut: “Stil tjetër", "Mbështeta të gjitha propozimet e tij"
Për Miroslav Lajçakun patën konstatuar se ishte në anën e Serbisë dhe që synonte të jetësonte vetëm Asociacionin dhe jo pjesën tjetër të marrëveshjes, por një ndërrim ndjenjash duket ta ketë pësuar Zëvendës Kryeministri në detyrë, Besnik Bislimi, në raport me pasuesin e të parit, Peter Sorensen.
Në një takim të djeshëm në Bruksel, ndonëse pa mandat, Besnik Bislimi u shpreh se propozimet e Sorensen-it i mbështeti dhe se ai ka një “stil tjetër”.
“Në pjesën e parë kemi dakorduar principet për ecjen përpara në këto takime dhe mendoj se kjo ka reflektuar edhe stilin tjetër të ndërmjetësimit të z. Sorensen. Ne jemi dakord me të gjitha propozimet e tij dhe i mbështesim të njëjtat.
Mendojmë që ato sigurojnë edhe një raportim më të mirë tek vendet anëtare për atë se çfarë ndodh brenda, por edhe qartësi te palët që pastaj të mos keqpërdorin bisedat brenda për interpretime mediatike jashtë takimit, që mendoj që në këtë drejtim z. Sorensen është duke bërë një punë shumë të mirë”, tha Bislimi për emisarin e ri.