Bislimi, Deliut: Sikur të kishit informacion si është përfaqësuar Kosova në dialog, ju do të turpëroheshit
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, është përplasur me deputetën e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra gjatë raportimit të tij në Komisionin për Integrime Evropiane.
Deliu-Kodra tha se Qeveria Kurti me qasjen e saj në dialog i ka shkaktuar dëme të mëdha Kosovës si dhe për shkak të “veprimeve të pamatura” pjesa veriore nuk është si më parë.
E për këtë reagoi Bislimi që i tha Deliut se “sikur ju të kishit pasur çerekun e informacionit që kam unë se si është prezantuar Kosova deri tash në dialog, ju ishit turpëruar me ardh në sallë”.
“Zonja Deliu përdori kryesisht tri fjalë që i përsëritë vazhdimisht; dështim në dialog, veprime të pamatura dhe veprime fëmirore. Sikur ju të kishit pasur vetëm çerekun e informacionit që kam unë se si është prezantuar Kosova deri mars të vitit 2021 në dialog dhe si prezantohet tani, ju ishit turpëruar me ardh në sallë dhe me fol për mua. Duhet me qenë një seancë tjetër ku duhet të flasim për të bërat tuaja e pastaj për punët që i kemi kryer ne që prej ardhjes në pushtet”, ka thënë ai.
