Bill Gates zotohet se do të largohet nga lista e njerëzve më të pasur
Miliarderi amerikan, Bill Gates, është zotuar se do të dhurojë para nga pasuria e tij dhe se do të largohet nga lista e njerëzve më të pasur në botë. Bashkëthemeluesi i kompanisë “Microsoft” njoftoi se do të ndajë 20 miliardë dollarë për fondin e tij të bamirësisë.
Njeriu i katërt më i pasur në botë tha se e ka obligim kthimin e burimeve të tij në shoqëri.
Gates ishte zotuar se do ta jepte pasurinë edhe më 2010, por pasuria e tij është rritur për më shumë se dyfish që nga ajo kohë.
Sipas revistës “Forbes”, pasuria e Gates është 118 miliardë dollarë, por kjo shumë do të bjerë në masë të konsiderueshme pas dhurimit të donacionit për fondacionin “Bill & Melinda Gates”, të hapur më 2000 me ish-bashkëshorten e tij.
Përmes një postimi në Facebook, miliarderi tha se fondacioni do t’i rrisë shpenzimet nga 6 miliardë dollarë në vit deri në 9 miliardë më 2026 për shkak të vështirësive globale, përfshirë pandeminë, situatën në Ukrainë dhe krizën globale.