BIK-u kërkon të anulohet vendimi për ndalimin e shamisë në shkolla: Është diskriminues
Bashkësia Islame e Kosovës [BIK] është deklaruar për udhëzimin administrativ të Ministrisë së Arsimit që ndalon bartjen e shamisë në shkolla duke kërkuar që sa më parë të anulohet ky vendim.
BIK thotë se vendimi është diskriminues dhe u mohohet e drejta e shkollimit nxënësve që bartin mbulesë myslimane.
Reagimi i plotë i BIK:
Është kërkesë e kamotshme e Kryesisë së BIK-ut, institucioneve të saj dhe besimtarëve myslimanë që të shfuqizohet, respektivisht të hiqet e tëra pika 1.13 e nenin 3, në Udhëzimin Administrativ 06/2014, ngase është diskriminuese, dhe si e tillë në disa raste ka pas tentime që duke u thirr në këtë udhëzim, respektivisht në këtë nen t’u mohohet e drejta e shkollimit nxënëseve që bartin mbulesën myslimane – shaminë.
Kërkojmë nga organet kompetente, Ministria e Arsimit, Shkencës e Teknologjisë, si dhe nga kryeministri z. Albin Kurti, që sa më parë ta anulojnë këtë vendim, që në vete është diskriminues ndaj qytetareve të Kosovës – fëmijëve tanë.
Mirëpo, kjo kërkesë e kamotshme e BIK-ut nuk duhet politizuar e as polarizuar, por duhet trajtuar me përgjegjësi e korrektësi maksimale.
