Bie mbështetja në Mal të Zi për NATO-n, rritet numri i kundërshtarëve
Mbështetja e qytetarëve të Malit të Zi për anëtarësimin e vendit në NATO ka rënë me gati 9 për qind krahasuar me marsin e vitit të kaluar, ndërsa numri i kundërshtarëve është rritur me më shumë se 11 për qind, sipas një sondazhi të Qendrës për Demokraci dhe të Drejta të Njeriut (CEDEM) të kryer në shtator, raportoi Radio Evropa e Lirë (shërbimi në gjuhën serbe)
Për Aleancën Atlantike të Malit të Zi, këto rezultate tregojnë se brenda institucioneve dhe strukturave politike të vendit “ende veprojnë elementë prorusë dhe kundër NATO-s.”
“Veprimet e tyre janë të përqendruara në përhapjen e dyshimeve, dobësimin e besimit të qytetarëve dhe relativizimin e qëllimeve strategjike të shtetit,” thuhet në përgjigjen e dhënë për REL-in.
Një zyrtar i NATO-s, në një përgjigje, deklaroi se Mali i Zi po përballet me kërcënime të vazhdueshme hibride nga aktorë rusë dhe të huaj, duke theksuar se Aleanca “vlerëson bashkëpunimin e pandërprerë me Malin e Zi.”
Në pyetjen specifike për arsyet e rënies së mbështetjes në sondazhin e fundit, zyrtari i NATO-s e ka drejtuar përgjigjen tek autoritetet malazeze, të cilat – sipas REL – nuk kanë dhënë asnjë koment.