Bideni thotë se planifikon të garojë edhe në zgjedhjet e vitit 2024, vendos vitin e ardhshëm
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, tha të mërkurën se synon që të garojë për mandatin e dytë në krye të Shtëpisë së Bardhë dhe, me gjasë, vendimin përfundimtar për këtë çështje do ta marrë në fillim të vitit të ardhshëm.
Ai e bëri këtë deklaratë të mërkurën, kur tha se rezultatet e zgjedhjeve të mesit të mandatit për Kongres janë të mira për demokracinë, raporton agjencia “Reuters”.
Presidenti amerikan, i cili këtë muaj mbush 80 vjet, është ballafaquar me pyetje nëse do të kandidatojë përsëri për president. Një këshilltar i tij ka thënë se diskutimet përgatitëse për fushatën e vitit 2024 janë duke u zhvilluar.
“Synimi ynë është që të garojmë përëri, ky ka qenë synimi ynë. Ky është përfundimisht një vendim familjar”, tha presidenti amerikan para gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë përderisa afër tij ishte e ulur bashkëshortja Jill.
Bideni tha se familja e tij dëshiron që ai të garojë përsëri dhe se nuk ndihet në ngut për të marrë një vendim përfundimtar. Ai tha se vendimin do ta marrë pavarësisht nga vendimi i ish-presidentit Donald Trump, i cili pritet të marrë pjesë përsëri në zgjedhjet presidenciale të vitit 2024.