Bideni kundër vendimit të Gjykatës Supreme për imunitetin e Trumpit: Do të jetë më i trimëruar - NACIONALE

Bideni kundër vendimit të Gjykatës Supreme për imunitetin e Trumpit: Do të jetë më i trimëruar

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Presidenti amerikan, Joe Biden, e ka dënuar vendimin e Gjykatës Supreme të ShBA-së për t’i dhënë imunitet t të gjerë paraardhësit të tij, Donald Trump, nga ndjekja penale për përpjekjen që ta zhbënte rezultatin e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020, duke e quajtur verdiktin “precedent të rrezikshëm” që e ka përmbysur parimin themelor të barazisë para ligjit.

Në një fjalim 5-minutësh nga Shtëpia e Bardhë, Bideni tha se vendimi, që u mbështet nga gjashtë gjykatës të Gjykatës Supreme dhe u kundërshtua nga tre të tjerë, “e minon sundimin e ligjit” dhe i bëri “shërbim të keq popullit të këtij vendi”, sepse ai nënkupton që ka shumë më pak gjasa që Trumpi të mbahet ligjërisht përgjegjës për nxitjen e një turme për të nisur sulm vdekjeprurës ndaj Capitolit më 6 janar 2021, raporton gazeta “The Guardian”.

Duke e cituar dhe duke u bërë jehonë fjalëve të gjykatëses liberale të Gjykatës Supreme, Sonia Sotomayor, e cila e kritikoi vendimin, presidenti tha: “Unë kundërshtoj.”

Vendimi i gjykatës nënkupton se u mbetet votuesve që të vendosin nëse Trumpit duhet t’i besohet edhe një herë Shtëpia e Bardhë, tha Bideni.

“Ky vend u formua mbi parimin se nuk ka mbretër në Amerikë” – shtoi presidenti pas një takimi në fundjavë me familjen e vet për të diskutuar rreth të ardhmes së kandidaturës së tij pas një performance të dobët në debatin përballë Trumpit.

“Secili, secili nga ne është i barabartë para ligjit. Askush, askush nuk është mbi ligjin, madje as presidenti i Shteteve të Bashkuara” – theksoi Bideni.

Lajme të ngjashme