Bideni do të nënshkruajë deklaratë të përbashkët me Lapidin për lidhjet e sigurisë
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, dhe kryeministri i Izraelit, Yair Lapid, të enjten pritet të nënshkruajnë një deklaratë të përbashkët me qëllim të zgjerimit të raporteve në fushën e sigurisë mes dy vendeve dhe kundërshtimin e përpjekjeve të Iranit për destabilizimin e rajonit, sipas disa zyrtarëve të lartë të administratës amerikane.
Në deklaratën e re përfshihet “zotimi për të mos e lejuar kurrë Iranin që të prodhojë armë bërthamore”, tha një zyrtar. Presidenti amerikan po ballafaqohet me presion për të paraqitur një plan gjithëpërfshirës për ta frenuar Iranin. Bideni ka bërë hapa për rishikimin e marrëveshjes bërthamore me Iranin, nga e cila ShBA-ja ishte tërhequr më 2018 me vendimin e presidentit të atëhershëm, Donald Trump.
Përmes deklaratës së përbashkët do të shprehet përkrahja për Akordet e Abrahamit, njëra nga arritjet e Trumpit për normalizimin e raporteve mes Izraelit dhe disa shteteve arabe.
Në deklaratë gjithashtu do të paraqiten shqetësimet e përbashkëta të të dyja vendeve, përfshirë sigurinë ushqimore dhe përkrahjen për integritetin e Ukrainës.