Berisha në 24-vjetorin e Betejës së Koshares: Ditë që sublimon angazhimet e të gjithë kombit shqiptar
Ish-komandanti i Brigadës 138 "Agim Ramadani", Hisen Berisha, ka bërë homazhe në Kompleksin Memorial në Koshare në kujtim të 24-vjetorit të Betejës së Koshares.
Ai ka bërë thirrje qytetarëve të Kosovës që të nderojnë dhe të respektojnë vlerat e luftës. Berisha gjithashtu ka apeluar për solidaritet ndaj ish krerëve të UÇK-së që po mbahen në Hagë.
Berisha foli për rëndësinë e ditës së nderimit të kujtesës së Betejës së Koshares, duke e quajtur atë një moment që simbolizon angazhimin dhe përkushtimin e gjithë kombit shqiptar për të arritur bashkimin, shkruan Gazeta10.
Ai theksoi se çdo ditë e punës në ndërtimin e shtetit të Kosovës do të ishte një vazhdim i angazhimeve për të bashkuar kombin shqiptar me vlerat që i lidhin bashkë.
"Është një ditë që sublimon angazhimet dhe përkushtimet e të gjithë kombit shqiptar për të arritur bashkimin. Çdo ditë e punës në ndërtimin e shtetit do të jetë një vazhdim i angazhimeve për të bashkuar kombin shqiptar me vlerat që na lidhin bashkë. Çdo përvjetor shohim fizionominë tipike të Kosharës, duhet të ketë borë, të ketë reshje, të jetë ftohtë, njerëzit janë entuziastë, pavarësisht kohës, të harëshëm, sepse vinë, takohen dhe nderojnë ata që kanë rënë dhe prehen këtu në themelet e lirisë së shtetit. Kjo duhet të jetë një ditë përmes të cilës i bëjmë thirrje qytetarëve të Kosovës që t'i nderojnë dhe t'i respektojnë vlerat e luftës, të jenë të solidarizuar me ata që sot po përballen në Hagë, që janë duke mbrojtur pikërisht këto vlera që qëndrojnë në themelet e shtetit dhe lirisë së Kosovës." - ka shkruar Berisha.