Berisha: LDK, sot e para në opozitë, nesër e para në vend
Anëtari i LDK-së, Anton Berisha ka komentuar sondazhin e publikuar nga gazeta Nacionale për partitë politike, duke u krenuar që partia e tij ka dalur në vendin e parë prej partive opozitare.
Berisha ka thënë se “LDK, sot e para në opozitë, nesër e para në vend”.
Gjithashtu, ai ka theksuar se Qeveria Kurti ka dështuar dhe se populli ka hequr dorë.
Shkrimi i tij i plotë:
LDK, SOT E PARA NË OPOZITË, NESËR E PARA NË VEND
Sipas një sondazhi të UBO Consulting të publikuar nga Nacionale, Lidhja Demokratike e Kosovës është partia e parë opozitare me 22.3%.
Në anën tjetër, në raport me VV e cila ka një vazhdimësi rënie trendi në LDK është vazhdimësi rritjeje.
Dështimi i qeverisjes së VV në krye me Kurtin dhe dështimi i presidentes Osmani me projektin politik Guxo e kanë racionalizuar votuesin kosovar për të hequr dorë prej përkrahjes së populistëve që në pushtet u treguan oportunistë dhe jokompetentë për t’u marrë me tema serioze shtetërore dhe të papërgjeshëm në raport me nevojat e qytetarëve.
Besimi në rritje për LDK-në duhet të jetë shtytje për lidershipin që të jetë edhe më veprues në struktura dhe në interaktivitet me qytetarët për t’i bindur se qasja serioze dhe reale e LDK-së është e vetmja zgjidhje politike për shtetin në këtë periudhë përcaktuese për Kosovën dhe rajonin.
Do të ishte e pafalshme që ne të mos mobilizohemi për të dalë partia e parë ngase vendi ka nevojë që gjysëmanarkinë e gjysëmkaosin që ka krijuar VV në më pak se dy vite pushtet ta largojmë nga institucionet për ta kthyer qeverisjen në shtratin institucional, ligjor e demokratik si dhe klimën ekstreme polarizuese në shoqëri ta vëmë në binarët e normalitetit.