Berisha kërkon nisjen e grevave të përgjithshme në Shqipëri
Lideri i PD-së, Sali Berisha, ka bërë thirrje për grevë të përgjithshme në Shqipëri.
Gjatë seancës se sotme parlamentare, ai ka thënë se ka ardhur koha që mësuesit, mjekët e bizneseve që të nisin grevën si shenjë pakënaqësi ndaj trajtimit që po ua bën qeveria.
“Por koha ka ardhur, që ne kësaj qeverie, t’i tregojmë vendin. Koha ka ardhur dhe jam këtu për t’u bërë thirrje të gjithë mësuesve të Shqipërisë, me guxim dhe kurajo, të mbrojnë interesat e tyre. Janë të vetmit mësues në rajon, që në 8 vite jo vetëm nuk njohën rritje, por krahasuar me inflacionin, ulje të ndjeshme të rrogës. Janë të përçmuar në administratë, ndërkohë që duhet të jenë qytetarët dhe njerëzit më të nderuar për misionin e tyre fisnik. Të nderuar mësuese dhe mësuese, jo vetë e konstatoni se si po rrrënohet sot sistemi arsimor, se çfarë vuajtje dhe mjerimi ju krijon portali i Kushit, portali i partisë, portali i mashtrimit dhe i falsifikimit. Se si një mësues, qoftë edhe i ekselencës, për bindjet e tij, duhet të presë 7-8 vite për t’u sistemuar, ose nuk sistemohet fare”, ka thënë Berisha.
Sipas tij, vetëm grevat e përgjithshme do të ngrisnin dinjitetin e punëtorëve në Shqipëri.
“U bëj thirrje sindikatave, shkëputuni nga plogështia juaj dhe të organizojmë grevën e përgjithshme, e cila është grevë për dinjitetin tuaj së pari. U bëj thirrje mjekëve, që shohin rrënimin e sistemit shëndetësor, se si shqiptarët vdiqën nga pandemia, 250 për qind më shumë se në vendet e BE, vdiqën sa 3-4 vende me vdekshmërinë më të lartë në botë. Mjekë të shkëlqyer që largohen nga vendi, infermierë që ikin. Të gjitha këto sepse janë njerëzit më të keqpaguar, më të keqvlerësuar. Atëherë cila mbetet? Greva, greva dhe para së gjithash greva. U drejtohem biznesit të vogël, që ka një armik të vërtetë te kjo qeveri, e cila pret fundin për dy muaj që t’u vendosë 23 përqindëshin, e cila rriti tarifën e energjisë në 200 lekë. Çfarë presin më? Thirrja e çdo biznesmeni, e fëmijëve, grave dhe miqve të tij është: të ulen qepenat, grevë e përgjithshme, grevë e përgjithshme. U bëj thirrje të gjithë studentëve, bashkëmoshatarëve të tyre në Kosovë, qeveria u dha nga 100 Euro, kurse kjo qeveri u jep përçmimin. Të organizohen në një lëvizje të fuqishme studentore”, është shprehur Berisha.