Berisha flet për krizën socio-ekonomike: Gjetja e një terapie për kurim është urgjente
Anëtari i Kryesisë së Nismës, Zafir Berisha, është shprehur i brengosur me krizat që po i kalon shoqëria kosovare.
Ai ka vlerësuar se kriza socio-ekonomike që ka përfshirë vendin po rezulton me një krizë të thellë morale në shoqëri.
Në profilin e tij në “Facebook”, Berisha ka treguar se po ka ndodhur kjo.
“Mungesa e ideve dhe kreativitetit politik në Kosovë, ka bë që vendi të futet me një krizë të thellë morale, ekonomike e politike. Kosova është pronë e gjithë qytetarëve që jetojnë këtu e jo pashallëk i çifligarëve të mentalitetit mesjetar, të cilët sillen me fatin e vendit dhe qytetarëve sikurse ta kenë trashëgimi private nga baballarët e tyre. Kriza socio-ekonomike që ka përfshi vendin dhe që po rezulton me një krizë të thellë morale në shoqëri, po bëhet e papërballueshme nga qytetarët dhe po reflekton direkt në harmoninë dhe mirëqenjen e familjeve tona si bërthamë e shtetit”, ka shkruar Berisha.
Sipas tij, temat e mëdha kanë lënë nën hije temat jetike për qytetarët e Kosovës.
“Eksperimentet me Kosovën në emër të “temave të mëdha” ka lën nën hije luftën për ekzistenc të qytetarve të Kosovës, të cilët po përballohen me një kriz të pa parë socio-ekonomike por edhe politike e institucionale. Gjetja e një terapie për kurim të fenomeneve negative në shoqëri, është nevojë urgjente para se të bëhet vonë...”, ka vlerësuar Berisha.