Belind Këlliçi: Rezultati i zgjedhjeve në Tiranë nuk e pasqyron vullnetin e popullit
Kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” për bashkinë e Tiranës, Belind Këlliçi, ka reaguar për herë të parë pas ditës së zgjedhjeve.
Përmes një deklarate për medie, ai ka thënë rezultati i zgjedhjeve të 14 majit nuk i përgjigjet vullnetit të qytetarëve të Tiranës.
“Ne po punojmë çdo orë për të përgatitur dokumentacionin e plotë për çdo shkelje që është kryer. Rezultati nuk i përgjigjet asaj se çfarë njerëzit, qytetarët mendojnë për kryebashkiakun aktual dhe kjo është lehtësisht e verifikueshme kudo, në çdo cep të Tiranës, në qytet apo fshat. Unë u paraqita në këto zgjedhje në rrethana aspak normale, si të gjithë kandidatët e opozitës. Isha plotësisht i vetëdijshëm për pjesëmarrjen në garën elektorale më të pabarabartë të këtyre 33 viteve, e megjithatë sërish zgjodha të dal para qytetarëve me një program konkret, të detajuar dhe me një platformë e cila vuri në qender nevojat e qytetarëve dhe që ofronte zgjidhje reale për shqetësimet e përditshme”, ka thënë Këlliçi, i cili sipas rezultateve preleminare është mposhtur nga kandidati i PS-së, Erion Veliaj.
Ai ka bërë me dije se qytetarët e Tiranës ditën e zgjedhjeve janë përballur me presione të ndryshme.
“Megjithatë kjo nuk mjaftoi. Banorët dhe votuesit e Tiranës nuk reaguan në atë shkallë që ta mposhtnin mekanizmin e kundërshtarit që është i bazuar në presion, joshje, intimidim, para korrupsioni dhe në propagandë”, është shprehur kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë”.