Bekim Haxhiu: FFK po e përulë figurën e Fadil Vokrrit me organizime lokale
Bekim Haxhiu, i cili në të kaluarën ka qenë edhe nënkryetar i Federatës së Futbollit të Kosovës, ka kritikuar shtëpinë më të madhe të futbollit në Kosovë, pasi kjo e fundit organizoi një turne me veteranë për ditëlindjen e legjendës Fadil Vokrri.
Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës me anë të një postimi në Facebook, ka "zbuluar qëllimet" e FFK-së për ta përulur figurën e Fadil Vokrrit, me organizime të tilla.
“Në ditëlindjen e legjendes së futbollit Fadil Vokrri është organizuar Turnir me veteranët e futbollit. Stadiumi ishte bosh. Pse? Sepse FFK ulë nivelin e organizimit kur bëhet fjalë për Fadil Vokrrin. Në vend se të ngris sa më lartë madhështinë e figurës së tij, FFK e përulë atë me organizime lokale, me veteranë futbolli, me gjithë respektin për ta, por ngjarjet që lidhen me Fadil Vokrrin do të duhet të jenë të organizuara në nivel shumë të lartë, me ekipe ndërkombëtare”, tha Haxhiu fillimisht.
“Organizimin e Turnireve që lidhen me emrin e legjendës Fadil Vokrri, do të duhej ta bënte KE i FFK-së me MKRS e jo të bëhet nga Shoqata e Veteranëve të Futbollit, ku ftesat u dërgohen mysafirëve në ditën e turnirit, apo pak orë para fillimit, prandaj stadiumi ishte bosh.Dhe vetvetiu shtrohet pyetja: A po e bën këtë qëllimisht udhëheqja aktuale e FFK-së apo vërtetë ky është respekti që ata gëzojnë për Fadil Vokrrin”, përfundoi ai.