Behrami: Takimet e Kurtit me krerët e partive opozitare janë improvizime
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Artan Behrami, ka deklaruar se takimet e kryeministrit Albin Kurti me krerët e partive opozitare janë “improvizime”.
Behrami në Dpt te Fidani ka thënë se nëse Kurti do të ishte realisht i interesuar për një kandidat konsensual për president, “dialogun do ta fillonte shumë më herët”.
Ai theksoi se situata aktuale është pasojë e veprimeve të kryeministrit, duke u shprehur: “Këtë huti e ka prodhu ky njeri, sepse e ka përmbysur krejt kulturën politike që nga paslufta”.
Behrami shtoi se, duke iu referuar mënyrës se si ka funksionuar vendi ndër vite, “ekziston një kulturë e etablume politike”, pasi shumica absolute e presidentëve janë zgjedhur në Kuvend me marrëveshje politike.
“Ka pas raste kur ka pasur edhe marrëveshje gjithëpërfshirëse edhe ka pasur figura konsensuale”, tha ai.
Në fund, ai përsëriti se, “po të ishte i interesuar në kandidat konsensual, këtë dialog e kishte filluar para dy muajve, ose para një muaji”, duke e cilësuar procesin aktual si “dialog të improvizuar” që, sipas tij, mund të ishte nisur më herët me të gjitha partitë politike.