Beha s’e sheh të mundshëm shfuqizimin e Speciales: Procesi, megjithëse me shumë shkelje, duhet të shkojë deri në fund - NACIONALE

Beha s’e sheh të mundshëm shfuqizimin e Speciales: Procesi, megjithëse me shumë shkelje, duhet të shkojë deri në fund

1 vit më parë

nga NACIONALE

Për atë çka rëndom paramendohet për mundësi shfuqizimi të Gjykatës Speciale – çka në veçanti kishte marrë hov pas disa deklarimeve tonike të Richard Grenell – gazetari i Nacionales, Besian Beha, s’e sheh të mundshme.

Duke folur në një interivstë në emisionin “Expose” në Gazetën Blic, Beha dha vështrimet e veta të gjata të procesit gjyqësor, ku e nisi mu prej raportimeve të tij në lidhje me atë se si kryetarja e Gjykatës Speciale dhe diplomatë të ndryshëm i kishin pritur deklarimet e Grenell.

Në Gjykatën Speciale ka pasur një stepje, pas ardhjes në pushtet të Donald Trumpit. Madje, unë edhe kam raportuar që në takimin e dhjetorit që mbahet nga kryetarja e Gjykatës Speciale me diplomat e prokurorët, janë përmendur edhe deklaratat e Richard Grenell për shfuqizimin e Gjykatës Speciale dhe lirimin e Hashim Thaçit, por sa mund të realizohet kjo, unë e shoh me shumë dilemë, por edhe si gazetar nuk do ta pëlqeja”, tha Beha.

“Shumë më mirë do të ishte që ky proces që ka nisur me kaq shumë dilema dhe shkelje që janë konstatuar edhe prej juristëve, të shkojë deri në fund. Nuk shoh ndonjë mekanizëm që mund ta shfuqizonte Specialen. Unë, e shoh të duhur që edhe SHBA edhe BE të kujdesen për një proces të drejtë, që i respekton të drejtat e njeriut”, shtoi ai.

Në lidhje me ecurinë e procesit, Beha rikujtoi se tashmë prokuroria supozohet të finalizojë pjesën e paraqitjes së provave – ç’gjë duhet të përfundojë deri në mes të muajit prill.

“Pjesa e paraqitjes së provave të Prokurorisë është drejt fundit, do ta kemi mesin e muajit prill kur ata do t’i paraqesin të gjitha provat që i kanë. E kemi parë që janë duke i paraqitur provat për zona të caktuara të UÇK-së, pjesa e dëshmitarëve gjithashtu është në fund, do të thotë që i bie pas dy vitesh, Prokuroria e ka përfunduar rastin e vet” tha Beha.

“Është shumë e rëndësishme që ta sqarojmë se tash pritet që avokatët e krerëve të UÇK-së të paraqesin një mocion për rrëzim të aktakuzës, sepse në këndvështrimet e avokatëve, Prokuroria nuk ka arritur ta vërtetojë në asnjë mënyrë, asnjë nga pikat e aktakuzës.”

“Nëse ky mocion hidhet poshtë, i bie që më pas do të jetë radha e mbrojtjes për t’i paraqitur provat dhe dëshmitarët e vet. Nëse, vazhdon me një numër të caktuar të dëshmitarëve, mund të themi që mundet me zgjatë deri në fillim të vitit të ardhshëm”, përfundoi ai

Lajme të ngjashme