Begaj: Së bashku fituam luftën dhe bashkë do të luftojmë për të ruajtur paqen
Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, është deklaruar për media pas vizitës që pati me presidenten Vjosa Osmani, duke thënë se Shqipëria e përkrah Kosovën për anëtarësim në NATO dhe për liberalizimin e vizave.
Begaj ka thënë se liberalizimi i vizave për Kosovën është një premtim i vonuar i BE-së.
“Së bashku fituam luftën dhe bashkë do të luftojmë për të ruajtur paqen. Kjo është motoja në çdo kulm kulle dhe çdo pëllëmbë të kësaj toke që quhet Dardani. Asnjë raport i trilluar që tenton të njollosë gjakun dhe vetëflijim e shqiptarëve në mbrojtje të lirisë dhe identitet kombëtar nuk do arrijë të zbehë përpjekjen. Shqipëria mbështet anëtarësimin e Kosovës në NATO”, ka thënë Begaj.
"UÇK faqe e ndritur që bën krenar çdo shqiptar. Hapja e negociatave me BE për Shqipërinë një hap shumë i mirë për të gjithë shqiptarët. Liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës është një premtim i vonuar. Unë sigurova presidenten Osmani për mbështetjen e Shqipërisë për liberalizimin e vizave për Kosovën”, shtoi ai.