BE ofron 5 miliardë euro kredi për Ukrainën
Ministrat e financave të Bashkimit Evropian të premten mbështetën një kredi prej 5 miliardë eurosh, për të ndihmuar Ukrainën në mirëmbajtjen e shkollave, spitaleve dhe operacioneve të tjera të nevojshme të vendit në mes të pushtimit rus.
Huaja prej 5 miliardë eurosh e rënë dakord të premten, e cila do të mbështetet nga garancitë e vendeve anëtare të BE-së, është pjesë e një pakete të përgjithshme prej 9 miliardë eurosh të shpallur në maj.
1 miliard eurot e para u dërguan plotësisht në fillim të gushtit, ndërsa ministri çek i financave Zbynek Stanjura tha se takimet e ardhshme do të vendosin se si do të ndahen 3 miliardë euro të mbetura në paketë.
“Të gjitha shtetet anëtare ranë dakord për mbështetje të mëtejshme për Ukrainën”, tha Stanjura.
Ministrat diskutuan gjithashtu opsionet e financimeve afatshkurtra dhe opsionet afatgjata për të ndihmuar Ukrainën të financojë rindërtimin e saj në të ardhmen.
Një raport i publikuar të premten nga Banka Botërore, qeveria ukrainase dhe Komisioni Evropian llogariti se pushtimi i Rusisë ka shkaktuar mbi 97 miliardë dollarë dëme të drejtpërdrejta në Ukrainë deri më 1 qershor, ndërsa rindërtimi i vendit mund të kushtojë rreth 350 miliardë dollarë.