BE: Nuk tolerohet mohimi i gjenocidit në Srebrenicë
Bashkimi Evropian ka kujtuar gjenocidin në Srebrenicë, i kryer 28 vjet me parë nga ushtria serbe e Bosnje Hercegovinës. BE përmes një deklrate ka paralajmëruar se nuk tolerohet mohimi i gjenocidit, revizionizmi i historisë dhe madhërimi i kriminelëve të luftës.
Kështu u tha në deklaratën e përbashkët të përfaqësuesit të lartë të BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, dhe komisionari për zgjerim, Oliver Varhelyi.
“Para 28 vjetësh një prej faqeve më të errëta të historisë së Evropës u shkrua. Ne ndajmë ngushëllimin dhe dhimbjen e familjeve dhe miqve të viktimave dhe të mbijetuarve të gjenocidit në Srebrenicë. Evropa kujton përgjegjësinë e saj dhe dështimin që të mbrojë. Sot, kur lufta po zhvillohet përsëri në kontinentin e Evropës, ne zotohemi që të veprojmë më mirë për të mbrojtur paqen dhe mbrojmë jetën e njerëzve”, thuhet në deklaratë, raporton Radio Evropa e Lirë.
“Pajtimi mund të ndërtohet vetëm mbi të vërtetën, paqen dhe drejtësinë. Nuk mund të ketë tolerancë për mohimin e gjenocidit, revizionimit historik dhe madhërimit të kriminelëve të luftës. Liderët, qytetarët e Bosnje e Hercegovinës kanë përgjegjësi për të punuar së bashku për të ndërtuar një të ardhme më të mirë bazuar në dialog dhe mirëkuptim të ndërsjellë, të forcojnë dhe mbrojnë paqen dhe dinjitetin njerëzor në të mirë të të gjitha gjeneratave”, thanë Borrell dhe Varhelyi.
Në korrik të vitit 1995, në Srebrenicë të Bosnjës Hercegovinës, ushtria serbe nën komandën e Ratko Mladiqit, kanë vrarë mbi 8 mijë burra e djem. Gjykata për krime të luftës në ish-Jugosllavi me seli ne Hagë i ka cilësuar këto vrasje si gjenocid.
