Prokuroria e Bosnjës dhe Hercegovinës inicion rast kundër Dodikut për mohimin e gjenocidit të Srebrenicës
Prokuroria e Bosnjë-Hercegovinës ka iniciuar rast ndaj presidentit të Republikës Srpska, Milorad Dodik, për mohimin e gjenocidit, raporton Radio Evropa e Lirë.
Sipas legjislacionit, Zyra e Prokurorit të Bosnjës dhe Hercegovinës kryen një hetim me rastin e inicimit të rastit, pas së cilës prokurori i çështjes vendos nëse do të paraqesë aktakuzë. Pas kësaj procedure, Gjykata e Bosnjë-Hercegovinës ose konfirmon ose e hedh poshtë aktakuzën.
“Gjenocidi nuk ka ndodhur atje, të gjithë ne në Republikën Sërpska e dimë këtë”, ka thënë Dodik gjatë një konference për media në Banja Llukë më 21 shkurt.
Dodik e bëri këtë koment për Srebrenicën pasi Përfaqësuesi i Lartë miratoi ndryshimet në Ligjin për Qendrën Përkujtimore Srebrenicë-Potoçari më 21 shkurt. Ndryshimet në këtë legjislacion mundësojnë që paratë që teprojnë nga fondet e dhuruara për varrimin dhe memorialet për viktimat të ridrejtohen për nevojat e tjera të funksionimit të kësaj qendre.
Dodik ka mohuar gjenocidin disa herë që kur ish-Përfaqësuesi i Lartë në Bosnje dhe Hercegovinë, Valentin Inzko, miratoi Ligjin për Parandalimin e Mohimit të Gjenocidit në fund të korrikut 2021.
Kujtojmë se rreth 8,000 burra dhe djem u masakruan në Srebrenicë nga forcat e Ushtrisë së Republika Srpska (VRS) gjatë gjenocidit të Srebrenicës në korrik 1995.
Më shumë se 25,000 gra, fëmijë dhe të moshuar u dëbuan nga zona, e cila atëherë ishte nën mbrojtjen e OKB-së.