BE nis hetime ndaj “Grok”-ut të Elon Musk pas skandalit me imazhe seksualisht eksplicite - NACIONALE

BE nis hetime ndaj “Grok”-ut të Elon Musk pas skandalit me imazhe seksualisht eksplicite

7 muaj më parë

nga NACIONALE

Bashkimi Evropian ka nisur një hetim të gjerë ndaj chatbot-it Grok të Elon Musk në platformën X, pas reagimeve të ashpra anegjerë botës lidhur me aftësinë e tij për të gjeneruar imazhe seksualisht eksplicite, përfshirë edhe të fëmijëve, raportoi CNN.

Skandali shpërtheu në fund të vitit të kaluar, kur përdorues zbuluan se inteligjenca artificiale prodhonte imazhe digjitale të “zhveshjes” së grave dhe fëmijëve, si përgjigje ndaj kërkesave të tyre.

Zbulimet ngjallën reagime të ashpra ndërkombëtare dhe ngritën shqetësime serioze për mungesën e masave mbrojtëse.

Si reagim fillestar, kompania X njoftoi se funksioni do të kufizohej vetëm për përdoruesit me pagesë, por më vonë e ndaloi plotësisht përdorimin e Grok për krijimin e imazheve provokuese të personave realë.

Në një njoftim për media, Komisioni Evropian tha se hetimi do të shqyrtojë nëse platforma “ka vlerësuar dhe zbutur siç duhet rreziqet që lidhen me vendosjen e funksionaliteteve të Grok në X në BE”.

Zëvendëspresidentja ekzekutive për sovranitet teknologjik, siguri dhe demokraci, Henna Virkkunen, deklaroi se “deepfake-t seksualë të grave dhe fëmijëve janë një formë e dhunshme dhe e papranueshme degradimi”.

“Ai hetim do të përcaktojë nëse X ka përmbushur detyrimet e saj ligjore, apo nëse të drejtat e qytetarëve evropianë, përfshirë gratë dhe fëmijët, janë trajtuar si dëm anësor i shërbimit”, tha ajo.

Lajme të ngjashme