BE: Ligji për KPM-në të mos ndikoj negativisht në lirinë e mediave
Zyra e BE-së në Kosovë ka thënë se ndryshimet në Projektligjin për Komisionin e Pavarur të Mediave duhet të bëhen në atë mënyrë që nuk do të kenë “ndikim negativ” në lirinë e mediave.
Në një përgjigje dërguar Radios Evropa e Lirë, zëdhënësja e Zyrës së BE-së në Prishtinë, Ioanna Lachana, tha se blloku evropian ka avokuar vazhdimisht që Kosova të rishikojë ligjin për KPM-në, në mënyrë që ai të jetë në përputhje me Direktivën e BE-së për mediat audo-vizuale.
“Është thelbësore që Kosova të miratojë ligjin me shpejtësi, përmes një procesi të hapur dhe transparent, me konsultimet e duhura, ku do të përfshihej shoqëria civile dhe organizatat mediale”, tha zëdhënësja e Zyrës së BE-së.
Lachana tha se BE-ja aktualisht është duke analizuar ndryshimet në Projektligjin për KPM-në dhe më pas do të japë komente për të “tek autoritetet kompetente”.
Ndryshe, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, si dhe organizata të tjera vendore e evropiane prestigjioze i kanë bërë thirrje Qeverisë të heq dorë nga ky projektligj, pasiqë shihet si tentim “kapje” e mediave.