BE-ja pritet t’i premtojë përkrahje të vazhdueshme ushtarake Ukrainës në samitin e së enjtes - NACIONALE

BE-ja pritet t’i premtojë përkrahje të vazhdueshme ushtarake Ukrainës në samitin e së enjtes

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Udhëheqësit e Bashkimit Evropian do ta ritheksojnë vendosmërinë e tyre për të vazhduar që të ofrojnë “përkrahje ushtarake të qëndrueshme, të parashikueshme e me kohë” për Ukrainën në një samit të enjten, sipas konkluzioneve të draftuara paraprakisht për këtë takim.

“Këshilli Evropian gjithashtu e ripërmend nevojën urgjente për ta përshpejtuar dërgimin e municionit dhe raketave”- thuhet në tekstin e draftuar, të cilin e ka parë agjencia “Reuters”.

Në konkluzionet e draftuara mbetet e hapur çështja nëse udhëheqësit do të zotohen edhe për të bërë bashkë pesë miliardë euro ndihma për Ukrainën në një fond të quajtur “European Peace Facility”, që është përdorur për t’i dhuruar Kievit donacione armësh.

Vendet anëtare të BE-së me muaj kanë zhvilluar diskutime të vështira për të ardhmen e rolit të këtij fondi rreth ndihmave ushtarake për Ukrainën. Gjermania ka sugjeruar se fokusi tani duhet të jetë te ndihmat dypalëshe nga shtetet e BE-së veç e veç.

Ideja e zotimit për 5 miliardë euro shtesë është e përfshirë në tekstin e draftuar në kllapa të mëdha, që do të thotë se kjo është endje çështje në diskutim.

Tema kryesore e samitit të së enjtes në Bruksel është përpjekja për të arritur një marrëveshje rreth pakos së ndihmave financiare për Ukrainën me vlerë të 50 miliardë eurove për katër vjet, e cila është bllokuar nga Hungaria në samitin e mëparshëm në dhjetor.

Lajme të ngjashme