Bastisjet e fundit, veteranët e UÇK-së sot protestojnë para zyrave të EULEX-it në Fushë Kosovë
Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, do të mbajë sot protestë para zyrave të ZPS-së dhe EULEX-it në Fushë Kosovës.
Protesta e cila do të mbahet në ora 12:00 ka për qëllim të shpreh pakënaqësinë e bastisjeve të fundit që këto institucione kanë bërë në disa familje të veteraneve të UÇK-së.
Ushtruesi i detyrës së OVL-UÇK-së, Faton Klinaku, ka thënë se këto bastisje kanë shqetësuar familjet.
“Jeni dëshmitarë që Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë dhe EULEX-i, janë duke i shqetësuar familjet e bashkëluftëtarëve tanë dhe familjet e dëshmorëve, duke dërguar pa paralajmërim njerëz të panjohur e me kapela në kokë, për gjoja intervistime e duke ua konfiskuar edhe telefonat e tyre personal. Kjo gjë kështu, siç po bëjnë këta të panjohur për ne, po bëhet në shtetin tonë sikur dikur në kohën e pushtuesit, dhe institucionet tona vetëm po heshtin. Prandaj, duke pasur parasysh këtë, ne thërrasim protestë kundër ZPS-së dhe EULEX-it, te selia e tyre në Fushë Kosovë, nesër me datë 15 shtator 2023, ora 12:00. Ju ftojmë që të merrni pjesë në protestë”, ka shkruar Klinaku në profilin e tij në “Facebook”.