Bashota për konferencën e Rambujesë: Nëse komandantët e zonave nuk do të pajtoheshin, do të kishte probleme
Në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, dëshmitari Sokol Bashota, foli për marrëveshjen e Rambujesë.
Duke u përgjigjur në pyetjet e avokatit të Thaçit, Luka Mishetiq, dëshmitari tha se nëse marrëveshja do arrihej pa pajtimin e komandantëve të zonave, do të kishte mjaft probleme, raporton “Betimi për Drejtësi“.
“Gjatë negociatave për shkruaje në Rambuje, ka pas zëra të cilët nuk kanë besuar shumë në këtë konferencë dhe kjo u është transmetuar edhe disa komandantëve të zonave dhe pikërisht për këtë ka shfaq hezitim Adem Demaçi”, tha Bashota.
Ai tha se në dokumentet bazë të marrëveshjes, ka pasur elemente të kontestueshme dhe duke iu referuar atyre dokumenteve, Demaçi ka thënë se nuk ka diçka të mirë nga kjo konferencë dhe nuk do të dalë diçka e favorshme për Kosovën.
Ndërsa, sa i takon komandantëve të zonave, dëshmitari tha se shumë prej tyre kanë qenë kundër, duke përfshirë Rrustem Mustafën dhe Shukri Bujën.
“Nuk e di se sa kanë qenë kundër. Por e di që më duket Remi ka qenë kundër, Shukri Buja më duket ka qenë kundër. Të tjerët nuk më kujtohet, por e di që kanë qenë kundër shkuarjes në Rambuje”, tha ai.
“Ka pas zëra se në qoftë se nënshkruhet një marrëveshje në Rambuje që nuk i plotëson kërkesat e shqiptarëve, komandantët e zonave kanë thënë që ne nuk do ta pranojmë. Prandaj, është dashtë me u pyet. Madje, kujtoj se është marrë një pushim mes Rambujesë dhe Parisit pikërisht për me e marrë qëndrimin dhe opinionin e komandantëve të zonave për këtë çështje”, shtoi Bashota.