Bashkëpunimi ndërkombëtar çon në arrestimin e një kosovari në Greqi, sekuestrohen 324 kilogramë kanabis
Një shtetas i Kosovës është arrestuar në Selanik të Greqisë, në kuadër të një operacioni kundër trafikimit të narkotikëve, i zhvilluar pas një hetimi disa-mujor dhe bashkëpunimit ndërkombëtar mes autoriteteve të Kosovës, Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë.
Lajmin e ka bërë të ditur Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), e cila njoftoi se në mesin e personave të arrestuar është edhe shtetasi kosovar me inicialet A.G.
Sipas PSRK-së, autoritetet greke kanë ndërmarrë veprime konkrete në Selanik, të cilat kanë rezultuar me arrestimin e dy personave të dyshuar për trafikim me narkotikë.
Gjatë operacionit, policia greke ka gjetur dhe sekuestruar 324 kilogramë substancë narkotike të llojit kanabis.
Prokuroria Speciale dhe Policia e Kosovës kanë kontribuar në hetimin e rastit përmes veprimeve hetimore dhe shkëmbimit të informacionit me autoritetet partnere në rajon.
PSRK-ja dhe Policia e Kosovës kanë bërë të ditur se, në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë, do të vazhdojnë ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme hetimore me qëllim të zbardhjes së plotë të rastit dhe identifikimit të të gjithë personave të përfshirë.