Basha nga Prekazi: Është obligim yni ta vazhdojmë rrugën që ata trasuan
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, ka bërë sot homazhe në Kompleksin Memorial "Adem Jashari", në Prekaz.
Në këtë vizitë ai është shoqëruar nga nënkryetarja e Kuvendit nga radhët e VV-së, Albulena Haxhiu.
Në profilin e tij në “Facebook”, Basha ka vlerësuar se Prekazi është vendi ku liria e Kosovës ka marrë kuptimin.
Me përulësi dhe nderim të thellë, mëngjesin e sotëm, bashkë me nënkryetaren znj. Albulena Haxhiu, e filluam me homazhe në Prekazin e lavdisë mbarëkombëtare, vendin ku liria jonë mori kuptimin më të thellë, falë sakrificës sublime të Familjes Jashari. Heroizmi i Komandantit Adem Jashari dhe 58 anëtarëve të familjes së tij, është themeli mbi të cilin u ngrit çlirimi dhe pavarësia e Kosovës. Prekazi mbetet përjetësisht burim frymëzimi për vetëdijen tonë kombëtare, për unitetin dhe përkushtimin tonë ndaj atdheut”, ka shkruar Basha.