Baraliu: Është hera e parë që Presidenca kaq zëshëm deklarohet ndaj një veprimi të Qeverisë
Njohësi i çështjeve juridike Mazllum Baraliu ka komentuar përplasjen e fundit të Presidencës me Qeverinë.
Ai ka bërë me dije se mospajtime në mes të këtyre dy institucioneve ka pasur edhe më herët, por kjo e fundit është më serioze.
Në një intervistë për Tëvë1, ai ka thënë se kjo është hera e parë që Presidenca kaq zëshëm thotë se nuk e pranon veprimin e Qeverisë lidhur me letrën e kryediplomates Donika Gërvalla drejtuar Këshillit të Evropës.
“Moskoordinime ka pasur edhe më herët. Edhe mospërputhje dhe mospajtime. Mirëpo, ky koalicion ashtu siç është formuar hera herës ia kanë gëlltitur pra përfaqësuesit e tyre në relacion edhe me presidencën, kanë tejkaluar edhe momentet e caktuara të papërshtatshme dhe mos-harmonizuese. Tani më në këtë rast reagimi i Presidencës është diçka që në mënyrë të dalluar pra thotë se nuk pranojnë veprime nga Qeveria”, ka thënë Baraliu.
Ai ka vlerësuar se me veprime të tilla, koalicioni qeverisës po del joserioz dhe i paaftë.
“Është hera e parë në mënyrë kaq ekspresive dje të zëshme deklarohet Presidenca në relacion me veprimet dhe qëndrimet e ekzekutivit. Prandaj, këtë duhet marrë seriozisht ekzekutivi. Ajo që më vjen keq më së shumti është fakti që po dalim joserioz, të pavendosur dhe të pakoordinuar, të paaftë. Nuk jemi pra të aftë të bëjmë konsensus jo vetëm me opozitën jo se jo, por edhe brenda partive qeverisëse”, është shprehur ai.