Bajrami: LDK-së i duhet udhëheqje që bashkon, dëgjon dhe respekton mendimin ndryshe - NACIONALE

Bajrami: LDK-së i duhet udhëheqje që bashkon, dëgjon dhe respekton mendimin ndryshe

59 minuta më parë

nga NACIONALE

Deputetja e LDK-së , Hykmete Bajrami, ka bërë thirrje për ndryshim të thellë në udhëheqjen dhe funksionimin e partisë, përpara Kuvendit të jashtëzakonshëm që pritet të mbahet këtë të enjte.

Sipas saj, Kuvendi nuk duhet të shndërrohet në përplasje ndërmjet individëve apo në përcaktim të rreshtimeve ndaj partive të tjera, por në një vendim për të ardhmen e LDK-së.

“Kuvendi do të tregojë se kush është me LDK-në”, ka shkruar Bajrami, duke shtruar pyetjen nëse anëtarësia është e kënaqur me gjendjen aktuale të partisë. “Nëse përgjigjja është ‘jo’, atëherë duhet të kemi guxim për ndryshim.”

Ajo kujtoi se, nga viti 2021, LDK-ja ka përfunduar si partia e tretë në tri palë zgjedhje dhe nuk ka arritur fitore as në nivelin lokal.

“Këto nuk janë opinione. Nuk janë interpretime. Janë rezultate”, ka deklaruar Bajrami, sipas së cilës mungesa e vazhdueshme e rezultateve kërkon marrje të përgjegjësisë politike.

Bajrami ka rikujtuar se pas humbjes në zgjedhjet e dhjetorit 2025 kishte kërkuar dorëheqjen e kryetarit të partisë, ndërsa njëkohësisht kishte dhënë dorëheqje nga pozita e nënkryetares. “Sepse përgjegjësia politike nuk është dënim. Është standard demokratik dhe respekt ndaj anëtarësisë dhe votuesit”, ka shkruar ajo.

Sipas Bajramit, LDK-së nuk i nevojitet vetëm zëvendësimi i një emri, por një model i ri udhëheqjeje që bashkon, dëgjon, respekton mendimin ndryshe dhe vlerëson meritën e kontributin.

Lajme të ngjashme