Bajrami: I kanë të gjitha në dorë, nëse ka njerëz të korruptuar le t`i arrestojnë
Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje se në mungesë të rezultateve në qeverisje po merret me propagandë.
Në një intervistë për gazetën Nacionale, ajo ka thënë partia në pushtet nuk mund të ankohet vazhdimisht për të kaluarën.
Duke komentuar videon e VV-së, në të cilën thuhet se qeveritë e kaluara kanë qenë shkatërruese, Bajrami ka thënë se nëse drejtësia ka fakte duhet të reagojë ndaj keqbërësve.
"Qytetarët e dinë se kush ka punuar dhe kush ka udhëhequr në 20 vitet e kaluara. Ato janë cikle politike. Nuk është se është punuar çdo gjë, ne e dimë se në vitin 1999, kur kemi dalë nga lufta, kemi qenë shtet komplet i shkatërruar. Krejt çka është ndërtuar është bërë për këto 22 vite. Sigurisht se ka pasur gabime, tash institucionet janë, nëse ka pasur njerëz të korruptuar, le të urdhërojnë dhe le t`i arrestojnë. Nëse ka pasur keqqeverisje, i kanë të gjitha hallkat e pushtetit, le të urdhërojnë dhe le t`i burgosin. Mirëpo më së paku pritet prej tyre të bëjnë propaganda. Për besë, ishte për turp dhe ishte qesharake videoja e tyre, në kohën kur 25 mijë familje i kanë lënë para dyerve të bankave", ka thënë Bajrami.