Bahtiri për Xhandarmërinë: Sveçla ka nënshkruar vendim historik, mesazh i prerë - NACIONALE

Bahtiri për Xhandarmërinë: Sveçla ka nënshkruar vendim historik, mesazh i prerë

1 muaj më parë

nga NACIONALE

Kandidati për deputet nga rradhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Agim Bahtiri me anë të një postimi në Facebook, e ka quajtur nënshkrim historik të Xhelal Sveçlës, themelimin sipas tij të xhandarmërisë. Ai ka thënë se ky është një mesazh i prerë se veriu do të mbrohet.

E plotë:

Shumë të dashur qytetarë,

E kuptoj dhe e ndiej peshën e shqetësimit të çdo qytetari që kërkon më shumë vende pune, fabrika e investime kapitale. Por, si njeri që e njeh mirë këtë rrugëtim, duhet ta themi një të vërtetë të madhe: Asnjë investitor serioz, as nga vendi e as nga bota, nuk sjell kapitalin e tij në një vend ku nuk ka stabilitet, në një shtet ku kufijtë lëkunden dhe ku siguria fizike kërcënohet çdo ditë.

Parakushti i parë për ekonomi dhe fabrika është një shtet i fortë, i sigurt dhe me sundim të plotë të ligjit.

Kur morëm përgjegjësinë për të udhëhequr me Qeverinë Kurti, trashëguam një situatë të tmerrshme. Veriu i vendit u ishte lënë në dorë bandave kriminale dhe strukturave paralele të Serbisë, si pasojë e kompromiseve të dhimbshme, pazareve nën tavolinë dhe nënshkrimeve të turpshme të qeverisjeve të kaluara.

Si ish-kryetar i Komunës së Mitrovicës, unë jam ballafaquar vetë me atë egërsi në terren. Kam dhënë maksimumin tim, me mish e me shpirt, që Veriu të mbetej Kosovë. Prandaj, sot jam ballëlartë dhe jashtëzakonisht krenar që kam ngulur këmbë dhe NUK KAM NËNSHKRUAR ASNJËHERË asnjë dokument në dëm të vendit tim, edhe përkundër presioneve të jashtëzakonshme që më bëheshin, si në Prishtinë, ashtu edhe në Bruksel. Unë nuk u përkula atëherë, dhe Kosova nuk po përkulet as sot!

Pasi u desh të përqendroheshim me më shumë se 100% të energjisë sonë për të riparuar ato dëme të dikurshme thuajse të pariparueshme, sot po shohim frytet e këtij rrugëtimi të dinjitetit. Pikërisht sot, Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka nënshkruar vendimin historik për fillimin e procesit të themelimit të Xhandarmërisë së Kosovës! Ky është mesazhi i prerë se veriu dhe kufijtë tanë janë të blinduar dhe të paprekshëm përgjithmonë.

Tani që sovraniteti në veri është i panegociueshëm dhe siguria është e garantuar, po krijohen kushtet reale për investime të mëdha që sjellin vende pune dhe zhvillim afatgjatë. Për qeverisjet e kaluara, buxheti i shtetit shkonte në tenderë korruptivë e në xhepa pushtetarësh. Me Qeverinë Kurti, paratë e shtetit po kthehen te populli dhe po ndërtohet baza e një shteti të zhvilluar.

Plagët dhe shkatërrimet 20-vjeçare nuk mund të zhbëhen brenda natës, por ne kemi dëshmuar se nuk zmbrapsemi para asnjë sfide e para asnjë presioni. Ashtu siç diti Mitrovica t'u rezistojë ndarjeve dhe planeve të rrezikshme, ashtu do të dijë sot e gjithë Kosova të ndërtojë një ekonomi të fuqishme, ku të rinjtë tanë shohin perspektivë dhe të ardhme këtu.

Më 7 qershor, vullneti juaj do të përcaktojë fatin e Republikës. Kjo nuk është thjesht votë për një parti, është vijë ndarëse midis një Kosove krenare e sovrane që po zhvillohet, dhe asaj të kaluares që donte ta copëtonte e ta gjunjëzonte shtetin tonë, me një vijë ndarëse në mes të Lumit Ibër!

Lajme të ngjashme