Bagerët shihen duke punuar në rrugën Prishtinë-Mitrovicë - NACIONALE

Bagerët shihen duke punuar në rrugën Prishtinë-Mitrovicë

1 vit më parë

nga NACIONALE

Rruga Prishtinë-Mitrovicë është e rëndësishme po aq, e ndoshta edhe më shumë se Rruga “Muharrem Fejza” në lagjen Mati I në kryeqytet. Të dyja janë bërë të famshme – jo për shkak të ndonjë ekstravagance – por për shkak të zvarritjeve ‘epike’ të punimeve. Sidoqoftë, tash na vjen një lajm i gëzuar.

Jo shumë kohë më parë, para një muaji, punimet e rrugës së nisur në vitin e largët 2009 ishin ndërprerë muajin e kaluar për shkak të një borxhi prej 5 milionë eurove ndaj kompanisë ndërtuese.

Por, duket se këto borxhe mund të jenë shlyer pasi siç transmeton portali mitrovicas JepiZë, “bagerët janë parë duke punuar mëngjesin e sotëm në pjesën e rrugës nga Pestova deri në Lum-madh.”

Shumë qytetarë mitrovicas, por edhe të vendbanimeve përreth Mitrovicës, janë ankuar për stërzgjatjen e punimeve të kësaj rruge. Për të, kanë folur ministrat respektivë por edhe kryeministrat përgjatë viteve.

Sipas të dhënave, kjo rrugë do t’i kushtojë buxhetit të Kosovës mbi 26 milionë e 864 mijë euro, por deri tash nuk është paguar as gjysma e shumës.

Lajme të ngjashme