Ndërpriten punimet në magjistralen Prishtinë-Mitrovicë, shkak borxhi 5 milionë euro - NACIONALE

Ndërpriten punimet në magjistralen Prishtinë-Mitrovicë, shkak borxhi 5 milionë euro

1 vit më parë

nga Mirlind Behluli

Shakatë për jetëgjatësinë e punimeve në magjistralen Prishtinë-Mitrovicë janë më të njohurat nëpër internet, por zhvillimet e fundit në këtë projekt janë një çështje serioze. Punimet në këtë aks rrugor janë ndalur. Nacionale ka marrë vesh se shkak është borxhi 5 milionë eurosh ndaj një kompanie kosovare.

Situata është e thjeshtë: kompania mbikëqyrëse e punimeve nuk po nënshkruan dokumentin përmes së cilit investitori kryen pagesat.

Por detajet e situatës janë shumë të komplikuara. Nuk përjashtohet as “tërheqja nga krejt investimi”.

“Mbi 5 milionë euro borxh”

Punimet në magjistralen Mitrovicë-Prishtinë janë ndalur. Eksavatorët e kompanisë “Pevlaku”, të martën e 2 gushtit, nuk janë ndezur, e as punëtorët nuk kanë ndalur në punishte.

Kjo pasi pronarët e kompanisë morën vendim për të ndërprerë punën.

Arben Sadria, zyrtar në kompaninë kosovare “Pevlaku”, e rrëfeu për gazetën Nacionale, gjithçka çfarë po ngjanë në këtë magjistrale.

“Punimet janë ndërprerë. Për momentin e kemi ndërpre punën, nuk besoj që kthehemi pa naj dhanë paret që na kanë mbet borxhë. Na prej janarit, që u kanë takimi, na kanë thanë ja e boj sot, ja e boj nesër raportin dhe nuk e ka mbajtë fjalën”, tha fillimisht Sadria.

Tutje, ai tregoi edhe shumën që u ka mbetur borxh investitorët.

“Vlera e punimeve prej nëntorit që s’janë marrë paret është mbi pesë milionë euro”, tha ai.

Madje, Sadria tregon edhe arsyetimet, që sipas tij, i jep kompania mbikqyrëse e punimeve që sipas tij po refuzon të nënshkruaj dokumentin mbi kryerjen e punimeve që është edhe forma përmes së cilës investitori kryen pagesat.

“Investitori na ka mbetë borxh, ai nuk i lëshon paret pa e nënshkru desertacionin e punimeve. Mbikëqyrësi i ka sjellë krejt këto probleme. Ai nuk e thotë që s’po e kryjmë punën mirë. Gjen arsye të ndryshme, herë thotë që projekti ka pësuar ndryshime, ka pësuar devijime. Nuk e di pse deri tash ka mbetë supervisor kjo kompani”, tha Sadria.

Kjo mos pagesë thotë ta ketë dëmtuar kompaninë e tij, ndonëse e qartëson se pagesat ndaj punëtorëve janë kryer me rregull.

“Ja hiç s’ju kemi mbetë borxh punëtorëve. Bile bile pagat e korrikut i kam kry dje.

I pyetur nëse do të zhagiten tash punët në këtë magjistrale, ai nuk ka pasur një përgjigje konkrete.

“Me të thanë të drejtën, kurgjo nuk varet prej neve”,

Ai ka treguar edhe për komunikimet e vazhdueshme me Ministrinë e Infrastrukturës, që udhëhiqet nga ministri Liburn Aliu.

“Ne kemi bë shkresa çdo tri ditë, edhe Ministria është në ngjarje. Edhe Ministria u kanë në takime me të. Ne takohemi me ta, çdo ditë i kemi qaty. Fajtorë është një kompani mbikëqyrëse turke, që është shumë e papërgjegjshme, që e ka fut edhe Ministrinë e Infrastrukturës pa dashje në këto gjana”, tha ai.

Marrëveshja me sauditët

Në vitin 2013, Ministria e Financave e udhëhequr nga ish-ministri Besim Beqaj, kishte nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi me zëvendëspresidentin e Fondit për Zhvillim të Mbretërisë Saudite, Mohammed A. Al-Jenaidel për zgjerimin e rrugës magjistrale Prishtinë-Mitrovicë.

“Jam i kënaqur që vizita ime e parë në Kosovë, shënon fillimin e bashkëpunimit duke u bashkuar ju në këtë ngjarje të rëndësishme për të nënshkruar marrëveshjen e parë për bashkëpunim për të rregulluar rrugën magjistrale Prishtinë-Mitrovicë. Ky projekt i rëndësishëm synon lidhjen e kryeqytetit të Kosovës me qytetin e Vushtrrisë dhe Mitrovicës dhe ndërtimit dhe rehabilitimit të rrugës së dytë kryesore dhe shndërrimin nga një rrugë njëkahëshe në secilën anë në një rrugë dykahëshe me shpejtësi të lartë”, kishte thënë Al-Jenaidel.

I gjithë projekti sipas marrëveshjes do të kushtonte rreth 60 milionë dollar dhe pritej të përfundonte dikur rreth vitit 2017.

Kujtojmë që shpronësimi i tokave për këtë magjistrale kishte qenë një proces problematik, duke e vonuar përfundimin e rrugës. Megjithatë, shpronësimet, sipas Sadrias, tashmë janë kryer.

Gazeta Nacionale ka tentuar të kontaktojë me zëvendësministrin e Infrastrukturës, Hysen Durmishi, për këtë çështje, por i njëjti nuk e ka hapur telefonin.

Po ashtu Nacionale ka tentuar të kontaktojë edhe me Fondin Zhvillimor Sauditë, por të njëjtin deri në publikimin e këtij artikulli nuk kanë kthyer përgjigje.

Lajme të ngjashme