Azerbajxhani anulon një takim katërpalësh me Armeninë, s'e do pjesëmarrjen e Francës
Presidenti i Azerbajxhanit, Ilham Aliyev, tha të premten se vendi i tij nuk dëshiron që Franca të marrë pjesë në bisedimet e paqes me Armeninë dhe anuloi një takim katërpalësh me homologun francez, Emmanuel Macron, dhe presidentin e Këshillit Evropian, Charles Michel, që ishte planifikuar për 7 dhjetor në Bruksel.
Presidenti azer tha se Macroni e ka sulmuar dhe fyer Bakun dhe se nuk duhet të veprojë si ndërmjetës, raporton agjencia “Reuters”.
“Macroni... e sulmoi Azerbajxhanin dhe na akuzoi për atë që nuk e kemi bërë. Është e qartë se në këto rrethana, me këtë qëndrim, Franca nuk mund të jetë pjesë e procesin të paqes mes Azerbajxhanit dhe Armenisë”- tha presidenti azer, duke folur në gjuhën angleze në një konferencë me përfaqësuesit ndërkombëtarë në Baku.
Në anën tjetër, Ministria e Punëve të Jashtme e Armenisë tha se dëshiron që ta mbajë "formatin e Pragës" për diskutime, në të cilin përfshihen Macroni dhe Micheli.
Një zëdhënës tha se vlerësimi i Azerbajxhanit që Jerevani po mundohet t’i pengojë bisedimet e paqes “nuk ka të bëjë asgjë me realitetin”.
Macroni e ka akuzuar Rusinë për nxitjen e tensioneve mes Azerbajxhanit dhe Armenisë dhe gjithashtu e ka konfirmuar përkrahjen e tij për sovranitetin e Armenisë gjatë bisedave telefonike me kryeministrin armen.