Azemi: Pushteti në Ferizaj po mburret me propaganda, ka dështuar në çdo sektor
Visar Azemi, zyrtar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, e ka kritikuar kryetarin e Ferizajt, Agim Aliun.
Azemi ka shkruar në rrjete sociale se Agim Aliu ka dështuar në çdo sektor, dhe sipas tij po mburret me propagandë.
Postimi:
Sot shpalosëm të pavërtetat e pushtetit të Agim Aliut në Ferizaj, të thurura në formë propagande në Raportin e Punës.
Përveç tentimit për të manipuluar qytetarët, ky pushtet ka dështuar në çdo sektor. Ani pse u planifikuan për vitin e kaluar, shumë projekte nuk nisën. Rast i tillë është Shtëpinë e Pensionistëve, fusha për futboll të madh në Dardani, shkolla në Varosh, Parku te ish objekti i Pastërtisë e Stadiumi i Qytetit “Ismet Shabani”. Gjithashtu nuk u ndërtua as Strehimorja për qenë dhe nuk u rregullua as Tregu i Gjelbër e as Tregu i Kafshëve.
Ne anën tjetër gjendja në arsim e shëndetësi mbetet alarmante, derisa zyra e prokurimit është dëshmi e keqpërdorimeve e keqqeverisjes, të cilat i dëshmojnë edhe auditimet.
Pushteti në Ferizaj mburret me propagandë, por, të gjithë e dimë problemin me menaxhimin e mbeturinave gjatë shumicës së vitit, i dimë protestat e grevat e punëtorëve të kompanisë “Pastërtia”, problemin me qentë endacakë, problemet me ujësjellës e kanalizim në shumë fshatra, mosmirëmbajtjen e shesheve, largimin e shtëpizave të drutit nga qendra dhe devijimin e pronave publike.
Ky është raporti i vërtetë i punës së Agim Aliut, kjo është pasqyra e dështimeve të tij.