Avokati Shkoza: Qeveria është duke i cenuar kompetencat e pushtetit lokal
Avokati, Armend Shkoza, përmës një shkrimi në llogarinë e tij në Facebook, ka shkruar rreth mosekzekutimit të pagave ndaj mësimdhënësve.
Shkoza thotë se Qeveria është duke i cënuar të drejtat e pushtetit lokal.
“Krahas zbatimit të zhdrejtë dhe të gabuar të Ligjit për Greva, Qeveria si autoritet qëndror është duke i cënuar kompetencat e pushtetit lokal në raport me ekzekutimin e pagave për mësimdhësit.
Komunat janë në raport detyrimor me mësimdhësit dhe ato me buxhet vetanak janë bartëse të detyrimeve”, shkruan Shkoza.
Ai thotë tutje se komunat mund të jenë cak i padive dhe një gjë e tillë mund t’i falimentoj ato financiarisht.
“Në çfarëdo rrethane të ardhshme për mos ekzekutim të pagave, komunat do të jenë të paditura. Edhe një valë e padive ndaj komunave ato do t'i falimentojë financiarisht. Komunat duhet të shqyrtojnë mbrojtjen e autonomisë dhe vitalitetit të tyre në aspektin kushtetues. Ndryshe, secila nga to do të bie në kolaps financiar. Ndërkaq Kushtetuta qartazi ka përkufizuar autonominë e pushtetit lokal e po ashtu autorizimet për të mbrojtur kushtetutshmërinë e kësaj autonomie përmes njohjes së komunave si palë e autorizuar sipas nenit 113 të Kushtetutës”, ka shkruar Shkoza.
