Avokati Koci për pikturat e Selimit: Në Muzeun Qendror nuk mund të hyjë çfarëdo artisti
Avokati Arianit Koci, ka reaguar në lidhje me ekspozimin e pikturave të Rexhep Selimit në Muzeun e Kosovës, duke thënë se kudo në shtet normale nuk mundet që në Muzeun kryesor të hyjë çfarëdo lloj artisti.
Me anë të një shkrimi në Facebook, ai ka thënë se ka respekt për kontributin e Rexhep Selimit, mirëpo siç thotë ai, pozita e tij nuk përmirësohet në këtë mënyrë: në dëm të artit dhe artistëve.
“Rexhen e njoh dhe kam respekt për kontributin e tij në luftë. Po mbahet padrejtësisht në Hagë. Por, pozita e tij nuk përmirësohet në këtë mënyrë: në dëm të artit dhe artistëve. Cili artist serioz vjen me ekspozitë apo perfomancë, tash e tutje në Muzeun e Kosovës?”, ka shkruar Koci.
Tutje, Koci i ka uruar kthim sa më të shpejtë Selimit, për kontributin dhe heroizmin e luftës.
“Rexha këndon relativisht mirë duke e pasur parasysh që është këngëtar amator. Më mirë se Ramushi. Pikturat? Nuk është piktor, do të thoshte dikush, çka ke pritë? Nëse nuk është piktor, pse ekspozita e tij është organizuar në vendin që konsiderohet Meka e artit në çdo shtet? Pse në Muzeun e Kosovës? Si zakonisht, politikanët e padijshëm po bëjnë më shumë dëm se dobi. Plus, po dalim qesharak! Sidoqoftë, Rexhës i dëshiroj kthim sa më të shpejtë, dhe chapeau për kontributin dhe heroizmin në luftë”, ka shkruar tutje Koci.