Avokati i Thaçit konfirmon raportimin e Nacionales: Gjykimi nis në fillimin e vitit 2023
Luka Misetiq, pjesë e ekipit mbrojtjes së ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi e ka konfirmuar se gjykimi i ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, me shumë mundësi do të nisë në tre muajt e parë të vitit të ardhshëm.
Ai gjithashtu ka thënë se gjykimi mund të zgjasë 3 deri në 5 vjet.
“Faktikisht ne marrim informacionet ashtu si ju, nga zëdhënësi i kësaj gjykate. Rasti, me shumë mundësi do t’i transferohet trupit gjykues nga fundi i vitit, dhe gjykimi pastaj do të nis në tre muajt e parë të 2023. Kaq dijmë. Nëse flas realisht, bazuar në eksperiencën time, gjykimi mund të zgjasë nga 3 deri në 5 vjet para se të marrësh qëndrimin fillestar nga gjykatësi.“, ka deklaruar Misetiq në Kanal10.
Rreth kësaj, gazeta Nacionale kishte dërguar pyetje Dhomave të Specializuara të Hagës, ku kanë konfirmuar se gjykimi mund të fillojë në tre muajt e parë të vitit 2023. Kjo, sipas tyre, varet varësisht nga koha kur dosja e lëndës kalon te trupi gjykues.
“Ndërsa gjyqtari i procedurës paraprake ka caktuar afate të caktuara për t'u siguruar që të gjitha palët të përgatiten shpejt për gjykim, deri më tani ai nuk ka caktuar një datë të saktë se kur synon t'ia kalojë dosjen e lëndës trupit gjykues. Vetëm pasi ta bëjë këtë do të dimë saktësisht se kur mund të fillojë gjyqi”, thuhet fillimisht në përgjigje.
“Megjithatë, gjyqtari i procedurës paraprake ka theksuar në një vendim publik se ai ka parashikuar që dosja e lëndës mund të jetë gati për t'iu transmetuar trupit gjykues deri në fund të vitit që do të thotë se gjykimi mund të fillojë gjatë tremujorit të parë të vitit të ardhshëm”, thuhet më tutje në përgjigjen e Gjykatës Speciale për gazetën Nacionale.
